Kreu i Grupit të PD-së e cilësoi si tepër dinjitoze kandaturën e Rusmalit propozuar për në KE
Patozi: Ministrat socialistë udhëtonin jashtë vendit të shoqëruar nga killera
Mazhoranca e cilësoi dje avokati të tepërt qëndrimin e opozitës lidhur me vendimin për ndryshimin e përfaqësimit të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, tha se kjo është një ndërhyrje e padenjë e PS-së në çështjet e brendshme të Grupit parlamentar të mazhorancës. Ai e krahasoi situatën me ndërhyrjen që mund të bënte mazhoranca në zëvendësimin e nënkryetarit të Bashkisë me një person tjetër. "Është njëlloj me kërkesën e një deputeti të mazhorancës të ndërhynte për ndërrimin e nënkryetares së Bashkisë kur në vend të Vali Bizhgës të vinte një person tjetër", u shpreh kreu i Grupit parlamentar të shumicës. Ai e cilësoi të papranueshëm faktin që, deputetët e opozitës kanë tre ditë që merren me një temë, me të cilën nuk kanë lidhje hallet e shqiptarëve. "Parlamenti duhet të merret me hallet e qytetarëve dhe jo të merret me çështje që nuk kanë lidhje me qytetarët. Por duket se opozita e ka të pamundur të gjejë defekte në qeverisjen e mazhorancës së djathtë dhe merret me këtë temë, e cila është çështje aspak me rëndësi për qytetarët", u shpreh Patozi. Ndërsa, lidhur me pretendimet e opozitës për kompetencat e Kryetares së Kuvendit, kreu i Grupit parlamentar të shumicës tha se, Kushtetuta dhe Rregullorja i përcaktojnë në mënyrë të qartë ato. Ai theksoi se, opozita po citon gabimisht Rregulloren e Kuvendit, sepse në rastin në fjalë, Kryetarja e Kuvendit është në atributin e saj. Duke iu refreuar akuzave të opozitës, se një qëndrim i tillë ka turpëruar Shqipërinë në sytë e opinionit ndërkombëtar, Patozi u rikujtoi deputetëve socialistë se ishin pikërisht përfaqësuesit e tyre, që ia nxinë imazhin Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. "Shqipëria është turpëruar më shumë kur ministrat tuaj udhëtonin jashtë shtetit me killera. Shqipëria është turpëruar nga diplomatë, deputetë, ministra, ambasadorë që kanë qenë të krimbur në korrupsion. Shqipërinë nuk e turpëron asnjë përfaqësues i mazhorancës", nënvizoi Patozi. Ai e cilësoi tepër dinjitoz përfaqësuesin e Partisë Demokratike dhe të Parlamentit në Këshillin e Europës. Ai u theksoi se ky është një problem i mbyllur, i cili nuk ka të bëjë me opozitën. "Opozita mund të dojë kryetar të Kuvendit tjetër, ministër tjetër, drejtues të mazhorancës të tjerë, por Partia Demokratiike është në të drejtën e vet që të bëjë zëvendësimet e mundshme që përfaqësimi i Kuvendit të jetë dinjitoz", vlerësoi kreu i Grupit të mazhorancës. Patozi tha se, përfaqësimi i shumicës me ish-zëvendëskryeministrin, ish-ministrin e Drejtësisë dhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve është mëse dinjitoz.
Pango: U ndërtuan 400 km rrugë për në pikat turistike
Ministri i Kulturës, Ylli Pango u ndal dje gjatë diskutimit në rrugët, të cilat të çojnë në monumentet kulturore. Pango tha se, opozita me anë të një deklarate ka abuzuar ku ka deklaruar se janë bërë 400 kilometra rrugë për në pikat turistike, në një kohë që janë bërë më shumë se trefishi i tyre. Ministri Pango vuri në dukje se, nga zero rrugë që të çonin në këto zona turistike, në kohën që qeveriste e majta, sot, janë bërë rrugët që të çojnë në Velipojë, Shëngjin, Tale, Spille, Divjakë. Ai tha se është bërë rruga e Rivierës që të krijon mundësinë të shijosh plazhet e jugut. Duke iu referuar shifrave të gabuara që opozita thekon për rrugët, të cilat të çojnë tek monumentet e kulturës, Pango tha se, qeveria ka investuar 400 milion euro në këto rrugë. Ai përmendi disa rrugë të rëndësishme që janë bërë, duke u financuar nga qeveria, rruga e Kalasë së Borshit, Finiqit, Kalasë së Lezhës, dhe projektimin e të gjitha rrugëve që të çojnë në kalatë kryesore të Shqipërisë. Kreu i MTKRS-së bëri me dije nga foltorja e Parlamentit akordimin e 5 milion eurove nga zyra e Komisionit Europian, të cilat do të përdoren për restaurimin e kalave. Ministri Pango bëri me dije se, muajin që vjen do të restaurohet dhe Kalaja e Krujës, Kalaja e Himarës, dhe restaurimimi i Kalasë së Tiranës. Pango i bëri thirje opozitës që të shohë projektet madhore, që po realizon qeveria. Kreu i MTRKS-së tha se, opozita duhet të vizitojë dhe të marrë shembull nga punët e mazhorancës.
Nishani: Qeveria, vullnet për zbatimin e konventave ndërkombëtare
Qeveria ka vullnetin të zbatojë me përpikmëri kërkesat e konventave, të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut në kërkimin e azilit. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, garantoi dje Parlamentin se, ligji i ri për azilin që po diskutohej gjatë seancës së djeshme parlamentare është bërë në përputhje me detyrimet e Shqipërisë, që rrjedhin nga zbatimi i MSA-së. Nishani informoi deputetët socialistë se, për këtë ligj nuk është bërë një arnim në ligj, por është bërë një amendim i tij. Ministri i Brendshëm, Nishani, theksoi se këtë amandim e ka të parashikuar qeveria shqiptare, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Nishani tha se, në marrëveshje kërkohej në mënyrë ekspicide amendim të ligjit për azilin. Për këtë amendament, ai theksoi se qeveria i është referuar MSA-së. Ky amendament, theksoi Nishani i është përshtatur legjislacionit shqiptar nga legjislacioni europian, jo vetëm nga cilësia dhe asistenca e ligjit, por implementimi i mirë i ligjit që është pranuar nga ekspertët e UNHCR-së të vendosur në Shqipëri. Ligji lejon familjet e azilantëve të bashkohen, duke i dhënë të drejtat azilantit. Pavarësisht shkurtimit të statusit të azilantit, ministri Nishani tha se, personat sipas amendamentit nuk mund të dëbohen nga Shqipëria për asnjë rast. Me ligjin që është paraqitur në Parlament, vijoi ai, janë eliminuar të gjitha burokracitë, për ata që duan të kërkojnë azil në Shqipëri. Nishani u bëri thirrje deputetëve ta votojnë amendamentin, pasi në të janë përfshirë të gjitha konventat e Kombeve të Bashkuara. Ai kujtoi se Komisioni i Sigurisë Kombëtare e ka miratuar këtë amendament me unanimitet.
E.K
Ruli: Do të zgjidhim çështjen e punëtorëve të ARMO-s
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, theksoi dje se Ministria e drejtuar prej tij do të zgjidhë brenda një kohe optimale çështjen e grupit të punëtorëve të ARMO-s. Duke iu përgjigjur akuzave të deputetevë socialistë, se grupi nuk është pritur nga kryeministri, Ruli tha se, në mungesë të kryeministrit për shkak të angazhimeve që ai ka patur, punëtorët janë takuar me ministrin e Ekonomisë. Ai garantoi sem ministria po merret seriozisht me këtë çështje, ndërsa ftoi opozitën që të jetë monitoruesja e këtij problemi. Ndërsa, lidhur me pretendimin e deputetit të LSI-së se, në Shqipëri, KESH nuk ka vendosur ende matësa për të gjithë abonentët e tij, Ruli theksoi se, gjatë kohës kur Prifti drejtonte KESH janë blerë mbi 600 mijë matësa, shifër rekord kjo për Shqipërinë. Ministri Ruli kujtoi se deri tani, duke futur procesin e futjes së matësave në më shumë se 90 përqind të familjeve shqiptare, janë blerë rreth 200 mijë matësa. Akuzat e Priftit që shteti po vjedh qytetarët, Ruli i hodhi poshtë me argumentin, të cilën vetë Prifti e ka deklaruar kur mbate postin e drejtorit të KESH, duke theksuar se qytetarët që paguajnë aforfe konsumojnë më shumë se ç`paguajnë.
PLL: Opozita po tenton të frenojë procesin e pajisjes me karta
Partia Lëvizja e Legalitetit e shikon krijimin e Regjistrit Elektronik të Gjendjes Civile dhe pajisjen e qytetarëve shqiptarë me kartat e identitetit si një proces mjaft të rëndësishëm që do t'i shërbejë mbarëvajtjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe përafrimit tonë me standardet evropiane për liberalizimin e vizave. "Ne vlerësojmë vullnetin e mazhorancës qeverisëse për plotësimin e të gjithë parakushteve për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe pakontestueshme, si dhe mbështesim çdo lehtësi të krijuar prej qeverisë që do t'i shërbejë nxitjes për pajisjen me kartat e identitetit të pensionistëve, studentëve, shtresave në nevojë dhe punonjësve të administratës shtetërore", thanë dje drejtues të legalistëve. Partia Lëvizja e Legalitetit e konsideron lejimin e përdorimit të shamisë prej femrave myslimane gjatë aplikimit për kartat e identitetit, si një respektim të së drejtës së besimit dhe lirisë së shtetasve. "Është koha që kjo e drejtë e sanksionuar në dokumente ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Shqipërisë, të fitojë qytetarinë dhe të ushtrohet pa paragjykime, pengesa dhe nevojën e ndërmjetësimit në të gjitha institucionet e shtetit, përfshi edhe ato arsimore", thuhet në deklaratën e PLL-së. Partia Lëvizja e Legalitetit nxit qeverinë, që gjatë procesit të pajisjes së shtetasve me karta identiteti, t'i kushtojë një vëmendje të veçantë edhe emigrantëve, për të cilët duhet siguruar mundësia e aplikimit të tyre pranë përfaqësive tona diplomatike. "Ne gjykojmë se, procesi teknik i identifikimit të shtetasve duhet shoqëruar edhe me rregullimet e nevojshme në ligjin "Për shtetësinë shqiptare", në mënyrë që kjo shtetësi t'i sigurohet në mënyrë automatike të gjithë pasardhësve të mërgatës së vjetër që e dëshirojnë një gjë të tillë", vijon deklarata. Më tej, legalistët shprehen se përkundrejt vullnetit të dukshëm të mazhorancës për pajisjen e plotë dhe të shpejtë që qytetarëve me karta identiteti, roli frenues i opozitës së majtë, e cila gjatë tetë viteve të saj në pushtet nuk bëri asgjë në këtë drejtim, nuk është gjë tjetër veçse dështim i radhës dhe alibi e munguar për humbjen e tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Kryetarja e Kuvendit tha se opozita mund të flasë për Traktatin e Varshavës e jo për Europën
Topalli: Shkarkimi i Biberajt në përputhje me Rregulloren
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, theksoi se shkarkimi i deputetit Aleksandër Biberaj nga posti i kryetarit të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës është bërë në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit. Topalli tha se përfaqësuesit e opozitës po mashtrojnë lidhur me këtë çështje. "Zonja Leskaj mashtroi, siç ka mashtruar kolegu juaj nga Strasburgu dhe kjo nuk i bën nder një zonje dhe një kryetare të Grupit Parlamentar. Në bazë të Rregullores, është Kryetarja e Kuvendit në konsultime me Kryetarin e Grupit, që vendos mbi delegacionet dhe kryesitë e tyre. Opozita mund të flisë për Traktaktin e Varshavës, kurse për sa i përket Europës, kjo maxhorancë i ka ratifikuar marrëveshjet, po kjo maxhorancë i nënshkruar marrëveshjet", u shpreh Topalli në fillim të seancës së djeshme.Kryetarja parlamentit kujtoi se dje Parlamenti i Sllovenisë, në komisionin e jashtëm ka ratifikuar Protokollin e NATO-s, gjë që dëshmon se procesi i integrimit po ecën në mënyrë perfekte.
PD: Rama nuk mund të përvetësojë kompetencat e kreut të Kuvendit
Përnaska: Aktiviteti i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE, normal
Deputetja e Partisë Republikane dhe njëkohësisht anëtare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Lajla Përnaska, deklaroi dje se nuk është e vërtetë që ka patur një ngrirje të autoritetit të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit Europian. Përnaska sqaroi se, delegacioni shqiptar është në angazhim të plotë, po ndjek punën e Asamblesë Parlamentare dhe po vazhdon në mënyrë normale plotësimin e detyrave. Lajla Përnaska deklaroi se, gjatë ditës së djeshme punimet e Asamblesë Parlamentare janë ndjekur nga Ilir Rusmali, dhe sipas saj, Parlamenti shqiptar ka propozuar një ndryshim në përbërjen dhe në kryesinë e delegacionit e saj, duke ndjekur të gjitha rregullat dhe proçedurat zyrtare, që kërkohen nga Këshilli Europian. Ndërkohë, lista e prezencës së delegacionit shqiptar në Këshillin e Europës hedh poshtë pretendimet e përfaqësuesve të PS-së se, veprimtaria e delegacionit shqiptar në KE është ngrirë. Sipas tabelës rezulton se, kandidati i propozuar për kreun e delegacionit është përfshirë në listën e anëtarëve që do të ndjekin punimet e Asamblesë Parlamentare të KE-së. Ndërkohë, Partia Demokratike i cilësoi dje si spekullime për qëllime të ngushta politike deklaratat e përfaqësuesve të PS-së, lidhur me delegacionin shqiptar në BE. Partia Demokratike i kujton zëdhënëses së PS-së, e cila ka hobi të ndërrojë emrin çdo dekadë se ky formacion politik ka detyrimin ligjor ta zgjedhë vetë emrin me të cilin do të përfaqësohet. Deklarata për shtyp e selisë blu vë në dukje se, deputeti Rusmaili është një nga përfaqësuesit më dinjitoz të mazhorancës. "Sot, Edi Rama nxori zëdhënëse zonjën që ndërron emrin në çdo dekadë dhe po bëhet gati ta ndërrojë për të pestën herë, për t'i treguar mazhorancës si dhe me çfarë duhet të përfaqësohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Me këtë rast i bëjmë me dije zotit Rama, se kompetencat e Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetarit të Grupit parlamentar të mazhorancës janë ekskluzivitet i tyre që nuk mund të përvetësohen nga askush", thuhet në deklaratën zyrtare të Partisë Demokratike.
Bode: Propozimi i LSI për minatorët krijon disbalanca sociale
Ministri i Financave Ridvan Bode tha dje në Kuvend se projektligji për statusin e minatorit vendos disbalance mes grupeve të ndryshme shoqërore. Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji, të propozuar nga grupi parlamentar LSI-PDS, ministri Bode tha se "drafti është i përfshirë nga ethet ektorale dhe nuk është një nismë e arësyeshme."
"Ai nuk i kontribuon paqes sociale dhe vendos disablanca mes grupeve të ndryshme shoqërore. Kërkesa për vendosjen e statuseve grupeve të ndryshme nëpërkëmb dhe përbalt kategori të tjera shoqërore", u shpreh ministri Bode gjatë debatit për këtë draft. Ai theksoi se detyrimi i politikës është se duhet të jetë e ndjeshme dhe e barabartë në trajtimin e çdo qytetari. "Nisma të tilla për status të veçantë prishin balancat sociale dhe deformojnë nevojën për një shoqëri të barabartë, eficente dhe të drejtë", tha Ministri i Financave. Gjatë paraqitjes së këtij p rojektligji, Kryetari i Komisionit parlamentar të Shëndetësisë, Tritan Shehu tha se pas konsultimeve me përfaqësues të qeverisë dhe grupeve të interesit komisioni me shumicë votash vendosi t'ua kthejë mbrasht autorëve këtë draft. "Komisioni gjykon se ka ardhur momenti për një diskutim të hapur dhe më të gjerë të çështjes së pensionit për profesionet e rënda. Projektligji nuk u pranua pasi ai bie ndesh me një sërë ligjesh dhe krijon amulli në sistemin e sigurimeve shoqërore", tha kryetari i komisionit përgjegjës për këtë draft. Nisma ligjore e grupit parlamentar LSI-PDS kërkon ndër të tjera uljen e moshës së pensionit për minatorët në 50 vjeç, nga 65 vjeç që është aktualisht.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen