Montag, 11. Mai 2020
Pengesat në informimin publik
Mediat në shoqërinë e sotme të komunikimit konsiderohen në një shkallë të lartë si burime informacioni për publikun. Ato, në fakt, janë të tilla edhe në rastin e vendit tonë, aq më tepër, pra, në një shoqëri që vetëm prej dy dekadash ka dalë nga një gjendje censure ndaj shprehjes së lirë të ideve dhe opinioneve. Të trajtuara shpesh si një sistem kibernetik që shkëmben informacione me botën e jashtme, mediat thuhet se e realizojnë këtë në tri rrafshe:
Së pari, duke i transmetuar informacione publikut; së dyti, duke marrë informacione nga mjedisi rrethues për t’ia përcjellë publikut, dhe së treti, duke mbledhur informacione për reagimin e publikut ndaj informacionit të marrë prej mediave.Në këtë mënyrë, thuhet se një pjesë e fluksit informativ kthehet përsëri pas dhe shërben si element njohës për t’i ndihmuar mediat të vetëkorrigjohen në strategjitë e tyre informative duke realizuar ekuilibrin dhe mbijetesën e tyre e tyre si një sistem homeostatik (që kërkon ekuilibër).Nëse këto tri funksione informative shprishen, sipas teoricienëve të shkollës së Paolo Altos, atëherë midis sistemit të informimit publik dhe dinamikave të rrjedhave shoqërore ndodh ajo që quhet “çarje”, pra mediat në këto kushte funksionojnë si sistem kibernetik që riprodhon edhe defekte sistematike informimi, mbyllen brenda universit të tyre sipas një koherence përputhjesh artificiale që krijon iluzionin e verifikimit të fakteve, të cilët, në fakt, veçse akomodohen artificialisht në mes tyre. Duke humbur sensin e realitetit, vjen radha që mediat të ndodhen herë pas here para detyrës të raportimit të skandaleve, katastrofave, ngjarjeve të jashtëzakonshme, krizave politike dhe ekonomike të papritura, pikërisht sepse ardhjen e tyre nuk kanë mundur ta parandiejnë. Pra, në këto raste mediat raportojnë për lajme, të cilat informojnë për ngjarje të ndodhura pikërisht sepse sistemi i informimit publik dhe agjencitë e administrimit social nuk kanë mundur ose nuk kanë dashur t’i parashikojnë e parandalojnë. Shqetësimi është që kapacitetet informative të mediave të lira, sado të pakrahasueshme me më parë nga vëllimi dhe cilësia e informacionit që stokojnë dhe transmetojnë, kufizohen përsëri nga vetë mënyrat e funksionimit të tyre. Nuk është çështje thjesht mungesash teknologjike, por problem funksionimi. Është në interesin e publikut dhe të vetë mediave që këta kufij t’i shtyjnë sa të jetë e mundur më shumë drejt horizonteve sa më të gjera. Ideja është që mediat të zgjerojnë rolin e tyre si burime autonome informimi të publikut dhe të kenë mundësi gjithnjë e më të mira për të transmetuar një informacion të rëndësishëm, të rinovuar dhe përditësuar, por edhe thelbësor për publikun.Këtë problematikë, sikurse mediat e huaja, duhet ta përballojnë në koniunkturën e tyre specifike edhe mediat shqiptare.
Richard Hoggart flet se edhe procesi i “demokratizimit të lajmit”, pra i transmetimit të lajmeve që publiku dëshiron të marrë, pra ka, veç anës së vet promovuese për një informacion sa më cilësor për publikun, edhe pasojën negative që sistemi kibernetik i mediave ndodh që bie në një proces ciklik të mbyllur. I drejton publikut thjesht ato mesazhe që vetë pjesa e publikut që shërben si audiencë për atë media dëshiron të dëgjojë. Kështu ndodh edhe me elektoratin e partive politike gjatë fushatave promovuese elektorale. Ato shpesh i drejtohen vetëm një elektorati tashmë të ndikuar prej tyre duke rënë në autizëm dhe duke ulur rendimentin informativ të tyre.
Ndodh, pra, një proces entropie, çstrukturimi informativ, sipas Umberto Ekos, ku media transmeton vetëm atë që dëshiron publiku i saj dhe publiku ndjek thjesht atë media që vetëm e përforcon në qëndrimet e veta politike apo në rrafshin e vlerave të veta morale. Informacioni ka prirje të kthehet gjithmonë e më shumë në “Publicitet”, do të shkruajë Jurgen Habermas, pra në një informacion që ka si synim parësor përcjelljen në opinionin publik të një imazhi të përmirësuar të agjencive që i kontrollojnë mediat për veten e tyre, realizuar sipas teknikave promocionale, me qëllim bindjen e publikut dhe administrimin e sjelljes së tij. Krijohen kështu, ata, që sipas Dominik Wolton, quhen “intelektualët e mediave”, të cilët, në rastin tonë “analistë” dhe “opinionistë”, sipas ligjeve të “mendimit të shpejtë”, janë mësuar të akumulojnë të gjitha ato funksione interpretimi të informacionit mediatik duke shmangur prej andej elitat e tjera universitare dhe akademike apo shkencore. Format e interpretimit të informacionit nga ana e mediave ndodh kështu që rutinizohen, sepse gazetarët jo rrallë krijojnë stereotipa të ngurtësuar, të cilët, sikurse thotë Pierre Burdie, kthehen në “syze me anë të të cilave ata shohin disa gjëra dhe injorojnë të tjera”. Në këtë mënyrë, vazhdon ai, “konkurrenca, larg së qeni një faktor që automatikisht është prodhuese e një informacioni origjinal, tenton në një shkallë të lartë të favorizojë edhe uniformizmin e mallit informacion”.
Ndodh edhe një proces që quhet i “vasalizimit të publikut”, pra i somnabulizimit të tij, në kuptimin që publiku humb aftësinë për të qarkulluar çdo lloj informacioni tjetër veç atij mediatik, të marrë në mbrëmje nga stacionet televizive. Të nesërmen, gjendja e opinionit publik, raportuar nga media, nuk është veçse një produkt i vetë medias së një dite më parë. Qerthulli rrezikon të mbyllet brenda një sistemi autist ku opinioni publik riprodhon influencat e mediave, ndërsa mediat raportojnë atë gjendje të opinionit publik, të cilën në fakt e kanë krijuar ato vetë.
Kjo konstatohet shpesh.
Bie fjala, mediat nxjerrin njeriun e vitit, influencën e të cilit e masin sipas sondazheve të bëra te publiku, por harrohet që publiku shpesh konsideron si të tillë, pikërisht, duke u nisur në bazë të mediatizimit më shumë ose më pak të suksesshëm nga ana e mediave, atë apo këtë personazh politik apo kulturor.
Po të shohim me kujdes funksionimin e mediave shqiptare në ditët tona, vëmë re se krahas misionit të tyre të vështirë dhe të nderuar të informimit të publikut, vihen re edhe një sërë barrierash të shumëllojta strukturore, të cilat i vënë kufij cilësisë dhe vëllimit të informacionit të transmetuar. Nëse në mediat e huaja mbetet problem i diskutueshëm fakti që në orët që përfaqësojnë pikun e ndjekjes nga audienca të mediave mbisundojnë elementët argëtues si spektaklet, lojërat televizive, varietet muzikore, lojërat sportive etj., në dëm të informacionit kulturor, social, ekonomik etj., te ne, veç kësaj, shtohet se është debati politik dhe lajmi politik që gati përzë në këto orë piku çdo informacion tjetër për shoqërinë.
Mediat strukturohen fort sipas influencave politike dhe linja e tyre editoriale nis e bëhet gjithnjë e më tepër selektive ndaj fakteve, jo nga kriteri i rëndësisë së tyre për publikun, por nga vështrimi i influencave politike apo financiare të agjencive të informacionit në fjalë. Sidomos përgjatë fushatave elektorale ka ndodhur pikë për pikë ajo që thuhet se mediat kanë prirje të kthehen thjesht në promovuese të promocioneve publicitare të partive politike dhe jo në agjentë të shqyrtimit kritik të peizazhit politik të vendit.
Mbi të gjitha, axhenda e mediave, pra seleksionimi i lajmeve të rëndësishme për t’iu transmetuar publikut, ndjek logjikën e uniformizimit dhe përcaktohet, në fakt, nga mediat me audiencë më të madhe. Është televizioni shpeshherë që përcakton audiencën e shtypit të shkruar, janë gazetat e mëdha që përcaktojnë axhendën e informacionit edhe për mediat e tjera të shkruara.
Mbi të gjitha, sikurse thekson Hoggart, humbet ajo që quhet natyrë e lajmit, pra e informacionit. Ndarja në lajme të rëndësishme apo jo të rëndësishme nuk ka më vlerë si më parë, sepse kriteret e përcaktueshmërisë së hierarkisë të informacioneve janë bërë jashtëzakonisht shumë të diskutueshme.
Mbi të gjitha, mbisundon informacioni i lehtë, sikurse shkruan Jacques Ellul, i sipërfaqshëm, sepse edhe publiku dhe logjikat e zgjerimit të audiencës kërkojnë që ai të konsumojë një mall informativ sa më lehtë të tretshëm, sipas një kodi shumë të reduktuar fjalësh. Statistikisht, mediat gjeneralizuese nuk përdorin, në rastin më të mirë, më shumë se 500 fjalë.
Në kushtet e kufizimit drastik të punës që vjen nga reporterët e terrenit, ndodh shpesh që lajmi i jashtëm dhe ai i brendshëm të merret nga interneti, si burim kryesor informacioni. Problemi është se këtu ndodh që gazetarët të kujtojnë se kanë të bëjnë me një burim informacioni të dorës së parë, ndërsa në fakt informacioni i qarkulluar atje është edhe ai i seleksionuar, interpretuar, kategorizuar sipas strategjive publicitare individuale, kolektive apo institucionale. Në këtë mënyrë, mediat ushqehen në mënyrë të tepruar nga interneti dhe janë gjithnjë e më pak burime të pavarura lajmesh.
Zgjerimi i kapaciteteve të tyre informative bëhet një nga detyrat parësore për mediat tona. Mbi të gjitha kërkohet të mbahet parasysh shmangia nga një model pak a shumë autist ku politika u referohet informacioneve të medias, ndërsa mediat ndikohen duke u përcaktuar nga politika dhe axhenda e kësaj të fundit. Në këtë mënyrë krijohet edhe një rreth tjetër i mbyllur, ku mediat transmetojnë gjithnjë e më shumë atë që ato gjykojnë se dëshiron një publik i sipërfaqshëm, kurse vetë publiku mbahet në këtë nivel të sipërfaqshëm informimi dhe shkallë minimale receptimi të informacionit nga vetë mediat. Fjala është për të ikur nga ai model ku mediat ushqehen me lajme të para, kryesisht nga konferencat e shtypit, kurse konferencat e shtypit ushqehen nga mediat. Bëhet fjalë gjithashtu që mediat t’i drejtohen sa më shumë realitetit dhe investigimit të tij, si burim parësor lajmesh, sepse përndryshe mediat do të rrethqarkullojnë vetëm një sasi shumë të madhe lajmesh të marra nga burime brendamediatike. Interneti ushqen me lajme shtypin e shkruar dhe televizionin dhe këto të fundit ushqejnë si burime informative internetin.
Këto prirje çojnë pastaj drejt një sistemi të mbyllur, autist, informacioni, çka ndikon që e gjithë shoqëria të mos gjejë kapacitete të mjaftueshme për t’u vetadaptuar nëpërmjet informimit të saktë dhe thelbësor në lidhje me koniunkturat e reja historike para të cilave mund të ndodhet.
Në vend t’i ngjajë një sistemi kibernetik që vetërregullohet nëpërmjet korrigjimit të informacionit duke shkëmbyer informacione me botën përreth, ajo rrezikon të bjerë në një koherencë autiste me veten e vet, të humbasë aftësitë për të korrektuar devijancat e veta informative, duke shkuar drejt nja “çarjeje” mes informacionit për realitetin dhe vetë realitetit.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen